Arrestohet drejtuesi i “Benz”-it për aksidentin fatal në aksin Levan–Tepelenë

Policia e Fierit ka arrestuar drejtuesin e automjetit tip “Benz”, i përfshirë në aksidentin rrugor të ndodhur një ditë më parë në aksin “Levan–Tepelenë”, ku humbi jetën një 39-vjeçare.

Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen. Në aksident humbi jetën shtetasja N. A., 39 vjeçe, e cila drejtonte një automjet tip “Kia”.

Aktualisht drejtuesi i “Benz”-it, P. M., si dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin e tij, shtetasi S. R., ndodhen në spital duke marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. Sh., 42 vjeç, banues në fshatin Shegas, pasi drejtonte një motomjet pa leje drejtimi.