Gjykata e Fierit ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin M. R., 38 vjeç, i arrestuar disa ditë më parë pasi u kap me armë zjarri pa leje dhe i cili mbante një arsenal armësh në një banesë të pabanuar në lagjen “Kastriot”.
Vendimi është marrë pas seancës gjyqësore të zhvilluar paraditen e sotme, ku Prokuroria kërkoi masën më të rëndë të sigurisë, duke argumentuar se i arrestuari përbën rrezik për rendin publik dhe mund të ndikojë në hetime në rast se lirohet.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se 38-vjeçari përdorte një banesë si bazë kriminale, ku policia gjeti dhe sekuestroi 13 armë zjarri, përfshirë 10 automatikë (3 me shënjestër optike dhe filet për silenciator), 2 pistoleta, 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi të konsiderueshme municioni luftarak.
Arrestimi i tij erdhi pas një sinjalizimi nga gazetarë të emisionit investigativ “Piranjat”, të cilët informuan policinë për posedimin e një arme zjarri pa leje.
Pas ndalimit në automjet, ku iu gjet një pistoletë dhe 3 500 euro, hetimet çuan në zbulimin e bazës së armëve në Fier.
Policia dhe Prokuroria e Fierit vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe për origjinën e armëve të sekuestruara, që dyshohet se do të shiteshin te grupe kriminale për kryerjen e krimeve kundër personit.