Deputeti i Partisë Socialiste dhe kandidati në listën e hapur për zgjedhjet e 11 majit, Xhemal Qefalia, ka komentuar situatën politike në vend, vetëm pesë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.
Qefalia ka folur edhe për statistikat e SPAK, që njoftoi se deri më 5 maj janë regjistruar 115 materiale kallëzuese dhe 35 procedime penale.
Qefalia u shpreh se afrimi i ditës së zgjedhjeve ka sjellë një rritje të tensioneve, por theksoi se fushata elektorale ka qenë e qetë dhe normale deri tani. Ai komentoi gjithashtu ankesat e opozitës, duke i konsideruar ato si një përpjekje për të justifikuar humbjen që sipas tij do të pësojnë në 11 maj.
“Besoj se ankesat e fundit janë pjesë e një strategjie për të argumentuar humbjen. Ne kemi miratuar ligje për të ndaluar abuzimin me votën dhe kushdo që terrorizon qytetarët do të përballet me drejtësinë”, tha Qefalia, duke shtuar se fushata ka qenë e qartë dhe e sigurt për qytetarët.
Sakaq, ai inkurajoi prokurorinë dhe policinë që të mbeten të vëmendshëm dhe të sigurojnë që votat e qytetarëve të numërohen siç duhet.