Anëtari i Këshillit Bashkiak në zonën Zharrëz, Erald Çepele, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën në Bashkinë Patos, duke ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit dhe përfaqësimit politik.
Në deklaratën e tij, Çepele shprehet se prej vitit 2007, kur drejtimi i bashkisë iu besua LSI-së, vendimmarrja është larguar nga baza e socialistëve, ndërsa janë imponuar kandidatura që, sipas tij, nuk burojnë nga kontributi, por nga pazare politike.
Ai thekson se investimet, punësimet dhe emërimet në poste kyçe nuk bazohen në meritë, por në interesa dhe afërsi, ndërsa përgjegjësia për rezultatet bie mbi Partinë Socialiste dhe mbështetësit e saj.
Sipas Çepeles, Patosi ka qenë historikisht një bastion i së majtës, por është përballur me nënvlerësim dhe mungesë përfaqësimi të figurave me kontribute reale brenda Partisë Socialiste.
Në të njëjtin reagim, ai shpall ambicien për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë Patos në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke e cilësuar këtë si një përgjigje ndaj kërkesave të socialistëve dhe qytetarëve për ndryshim dhe drejtim më të drejtë.
Në përfundim, Çepele nënvizon nevojën për një drejtim që buron nga baza dhe për rikthimin e meritokracisë dhe zërit të socialistëve në Patos, Zharrëz dhe Ruzhdie.
Postimi i Plote i Erald Cepele
Patosi u përket socialistëve, jo pazareve
Ka ardhur momenti të flitet hapur dhe pa dorashka.
Që prej vitit 2007 kur Bashkia Patos ju la LSI, vendimmarrja në Patos është larguar nga baza dhe nga socialistët që për vite me radhë kanë mbajtur këtë qytet dhe këtë parti në këmbë. Sot shohim kandidatura të imponuara, emra që nuk burojnë nga sakrifica dhe kontributi, por nga pazaret politike.
Investimet vendosen sipas interesit të individëve, punësimet dhe emërimet në poste kyçe nuk bëhen sipas meritës, dhe vlerësimet nuk matën me kontribut, por me afërsi dhe interesa. Me pak fjalë, siç thotë një fjalë e urtë: “Punon kali, dhe ha gomari.”
Ndërkohë, kur rezultatet nuk dalin mirë, Partia Socialiste mban koston. Përgjegjësia bie mbi bazën, ndërsa drejtuesit vendorë shpesh nuk japin llogari. Ky keqmenaxhim ka pasoja reale edhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Por Patosi nuk është një bashki e dorës së dytë. Është një qytet që ka votuar majtas për dekada, ka duruar dhe ka mbështetur Partinë Socialiste, dhe shpesh ka marrë nënvlerësim dhe emërime të imponuara.
Brenda Partisë Socialiste ka gra dhe burra të përgatitur, me kontribute të vërteta, që shpesh mbahen larg dhe injorohen. Kjo duhet të marrë fund. Nuk mund të vazhdohet me emërime që shkelin meritën dhe zërin e socialistëve.
Si socialist me kontribute ndër vite, më lind sot e drejta të shpreh hapur ambicien time për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë Patos në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Kjo ambicie nuk lind vetëm nga angazhimi dhe kontributi im prej 18 vitesh në Partinë Socialiste, por edhe nga sugjerimet dhe kërkesat e shumë miqve, shokëve, socialistëve dhe votuesve që kërkojnë ndryshim dhe drejtim të drejtë për qytetin.
Jo si ambicie personale, por si detyrim ndaj kontributit tim dhe si përgjigje ndaj zërit të socialistëve që kërkojnë ndryshim.
Patosi, Zharrëza dhe Ruzhdia kanë nevojë për një drejtim që buron nga njerëzit, për meritë, dinjitet dhe rikthim të zërit të socialistëve. Sepse një parti është e fortë kur dëgjon bazën, dhe një qytet ecën përpara vetëm kur drejtohet me drejtësi.










