Al*rm për përmbytje nga Vjosa – Rrezikohet furnizimi me ujë i pijshëm për qytetin e Fierit

Situata paraqitet alarmante si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa. Në zonat Kashisht, Hambar dhe Çerven, lumi ka përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore, duke shkaktuar dëme dhe rrezik për banorët.

Sipas informacioneve paraprake, uji ka arritur deri pranë vendburimeve të ujit të pijshëm që furnizojnë qytetin e Fierit. Ndërmarrja e Ujësjellësit Fier ka njoftuar se kjo situatë mund të sjellë mungesa ose ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në qytet.

Në terren kanë mbërritur grupet e emergjencave dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, të cilat po monitorojnë nga afër situatën dhe janë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të rrezikuara, përfshirë edhe evakuimin e tyre në rast se përmbytjet prekin banesat.