Aksident në Lushnje, humb jetën një 60-vjeçar me motor

Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar paraditen e kësaj të mërkure në fshatin Kurtinë, në bashkinë Lushnjë. Një 60-vjeçar, i cili po udhëtonte me motomjet, ka humbur jetën pasi është rrëzuar aksidentalisht dhe është përplasur në asfalt.

Sipas të afërmve, viktima vuante nga probleme të zemrës dhe dyshohet se mund të ketë pësuar një atak kardiak gjatë drejtimit të motomjetit. Gjurmët e shumta të gjakut në vendngjarje tregojnë se përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 60-vjeçarit.

Policia Rrugore ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.