Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Lushnjë-Berat, pranë zonës së Kashtbardhës, ku janë përfshirë tre automjete.
Si pasojë e përplasjes, dy drejtuesit e mjeteve që janë goditur kokë më kokë kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas dëshmisë së drejtueses së një automjeti tip “Fiat”, një mjet tip “Benz”, që po lëvizte në drejtim të Lushnjës, ka tentuar një parakalim të rrezikshëm. Gjatë manovrës, ai ka prekur automjetin “Fiat” dhe më pas është përplasur kokë më kokë me një automjet tip “Ford”, i cili nga goditja ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë së Lushnjës, të cilat bllokuan përkohësisht qarkullimin për të kryer veprimet hetimore dhe për të normalizuar trafikun.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.










