Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 14:35 në autostradën Levan–Vlorë, pranë fshatit Panaja.
Një automjet tip kamionçinë, me targa AB498LY, është përplasur me trafikndarësen. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e mjetit, i cili humbi jetën në vend, ndërsa pasagjeri që udhëtonte me të ndodhet në gjendje të rëndë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Vlorës.
Nga verifikimet paraprake të Policisë Rrugore, dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një automjet tip Dacia me targa AA 408 XY, në të cilin udhëtonin dy shtetas të huaj. Drejtuesja e mjetit, një femër, dyshohet se ka goditur nga pas kamionçinën, duke bërë që ajo të spostohej dhe të përplasej me trafikndarësen e autostradës.
Policia ka shoqëruar drejtuesen e automjetit dhe po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse ndërhynë në vendngjarje duke prerë pjesët metalike të kabinës së dëmtuar rëndë për të nxjerrë trupin e pajetë të drejtuesit të kamionçinës.
Gjendja e pasagjerit të plagosur mbetet kritike në spital.