Aksident me një vikt*më në aksin Levan–Tepelenë, policia arreston një shofer të dehur dhe procedon disa shtetas

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Levan–Tepelenë, ku si pasojë ka humbur jetën një grua.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 07:20, shtetasja N. A., rreth 39 vjeçe, duke drejtuar një automjet tip “Kia”, është përfshirë në një përplasje me një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin P. M. Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e automjetit “Kia” ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i “Benz”-it dhe pasagjeri në këtë automjet, shtetasi S. R., janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve të fundit, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Policisë Fier arrestuan shtetasin B. D., 40 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Po ashtu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal për shtetasit I. I., 32 vjeç, dhe O. H., 28 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e dyshuar lënde narkotike kanabis.

Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier nisën procedim penal edhe për shtetasin K. Gj., 68 vjeç, banues në fshatin Grecalli, i dyshuar se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.