Një aksident tragjik është regjistruar paraditen e sotme në aksin rrugor Roskovec–Berat, në fshatin Strum, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet.
Viktima është shtetasi G. Xh., 50 vjeç, banues në Strum, i cili po lëvizte me biçikletë në momentin e ngjarjes. Përplasja ka qenë fatale dhe ai ka ndërruar jetë në vend.
Sipas informacioneve të para, drejtuesi i automjetit, i identifikuar si J. T., pasi ka shkaktuar aksidentin është larguar nga vendngjarja. Policia e ka lokalizuar dhe shoqëruar më pas në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.











