Aksi Librazhd–Pogradec i mbyllur, automjetet i drejtohen rruges Egnatia

Rruga Librazhd–Pogradec është aktualisht e mbyllur dhe nuk lejohet qarkullimi për shkak të dëmtimeve të mëdha në aksin rrugor dhe urën e degraduar, duke krijuar një situatë kritike për transportin dhe lëvizjen e qytetarëve.

Për të shmangur aksin e shembur, automjetet po devijojnë përmes Rruga Egnatia, një rrugë historike që përdorej edhe nga karvanët e romakëve rreth 2,000 vite më parë.

Megjithatë, ky devijim nuk zgjidh problemin kryesor, pasi rruga Librazhd–Pogradec vijon të degradohet dhe ura e dëmtuar mbetet një rrezik serioz për qarkullimin.

Dëmtimet janë shkaktuar si pasojë e lëvizjeve të tokës dhe problematikave gjeologjike që prej ditësh kanë prekur këtë segment rrugor, duke krijuar një situatë të ndërlikuar për qarkullimin në aksin strategjik që lidh zonën me pjesën tjetër të vendit.

Autoritetet bëjnë me dije se paralelisht me demontimin e urës, po shqyrtohen alternativat për zgjidhje provizore dhe më pas ndërtimin e një strukture të re, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në këtë nyje të rëndësishme rrugore.

Deri në një njoftim të dytë, segmenti mbetet i bllokuar dhe përdoruesit e rrugës duhet të ndjekin devijimet e përcaktuara nga strukturat përkatëse.

Por gjatë ditës së sotme, PD ka reaguar duke akuzuar qeverinë se shkak i paralizës në akset e Juglindjes është korrupsioni me fondet dhe jo fenomeni natyror i rrëshqitjes.