Menaxhimi i trafikut të rënduar dhe parandalimi i aksidenteve rrugore me pasoja fatale do të jenë në fokus të planit të masave të ndërmarra nga Sektori i Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Sipas shefit të Qarkullimit Rrugor, komisar Lulzim Marini, të gjitha rrugët kryesore, sheshet dhe akset interurbane, veçanërisht segmentet problematike Levan–Tepelenë, Fier–Lushnjë, Lushnjë–Berat dhe Çermë–Divjakë, do të monitorohen me mjete inteligjente dhe radarë.
Një tjetër problematikë mbetet drejtimi i mjeteve nga të miturit. Në këtë kuadër, Marini ka apeluar prindërit që të mos lejojnë adoleshentët të drejtojnë automjete.
Ai është ndalur gjithashtu te mungesa e sinjalistikës rrugore në disa akse rurale, për të cilën janë njoftuar bashkitë përkatëse dhe ARRSH, duke kërkuar ndërhyrje për mbylljen ose rikonceptimin e kryqëzimeve problematike si Cakrani, Kafaraj, Vajkani, rrethrrotullimi i Kolonjës, Pushimi i Shoferit dhe mbikalimi i Savrës, me qëllim devijimin e trafikut dhe uljen e riskut të aksidenteve.
Në natën e ndërrimit të viteve do të ketë patrulla të shtuara dhe kontrolle me aparatin drager për drejtuesit e mjeteve nën efektin e alkoolit. Policia apelon për kujdes të shtuar në drejtim dhe bashkëpunim nga qytetarët, duke denoncuar çdo shkelje të Kodit Rrugor në numrat 112 dhe 129.











