Një pjesë e konsiderueshme e kryebashkiakëve në Shqipëri kanë pasur përballje me drejtësinë e posaçme, duke e kthyer drejtimin e bashkive në një ndër pozicionet më të ekspozuara ndaj hetimeve penale.
Nga 61 kryebashkiakë në total, rreth një e katërta e tyre rezultojnë të kenë pasur “kontakt” me SPAK-un ose Gjykatën e Posaçme, në forma të ndryshme: nga thirrje për sqarime, deri te hetime, marrje si të pandehur, gjykime apo edhe dënime.
Mes emrave që janë përfshirë në procese të tilla janë figura të njohura si Erion Veliaj, Vangjush Dako, Lefter Alla, Fatos Tushe, Safet Gjici, Jorgo Goro, Dhionisios Beleri, Armando Subashi, Pjerin Ndreu, , Benet Beci, Bardh Spahia, Qerim Ismailaj, mes të tjerëve. Statusi i tyre ligjor ndryshon nga rasti në rast.
Sipas një analize të çështjeve të bëra publike, dosjet ndaj kryebashkiakëve ndahen kryesisht në katër kategori:
1. Paraja dhe tenderat
Pjesa më e madhe e hetimeve lidhen me shpërdorim detyre, shkelje në tendera, korrupsion dhe fshehje pasurie. Raste si ato të Lefter Allës, Eduard Duros apo Rajmonda Balilajt ilustrojnë qartë se procedurat e prokurimit publik janë ndër burimet kryesore të përplasjes me ligjin.
2. Vota dhe ndikimi elektoral
Një tjetër kategori përfshin hetime për përdorim të funksionit publik në favor të zgjedhjeve. Raste si Majlinda Bufi, Edison Memolla apo Dhionisios Beleri lidhen me dyshime për blerje vote apo presion elektoral.
3. Toka dhe pronat
Çështjet e pronësisë mbeten ndër më të ndjeshmet, sidomos në zonat bregdetare. Dosje si ajo e Jorgo Goros apo hetimet për Dritan Lelin lidhen me vendimmarrje mbi toka dhe prona, shpesh me pasoja penale.
4. Raste të veçanta
Ka edhe raste që nuk futen në kategoritë klasike, si ai i Safet Gjicit, apo çështje që lidhen me deklarime në formularë dhe përplasje me vendime gjyqësore, si në rastet e Qerim Ismailajt apo Bardh Spahisë.
Ndërkohë, disa drejtues vendorë janë thirrur dhe hetuar, por pa u marrë si të pandehur, si në rastin e Pjerin Ndreut apo Armando Subashit, duke treguar se jo çdo përballje me SPAK-un përfundon në gjykim.
Ekspertët theksojnë se roli i kryebashkiakut në Shqipëri është bërë gjithnjë e më i ndjeshëm, për shkak të ndërthurjes së vendimmarrjes publike me interesa ekonomike, prona dhe procese zgjedhore.
Bashkia mbetet institucioni më i afërt me qytetarin, por njëkohësisht edhe një nga më të ekspozuarit ndaj rrezikut penal, ku një firmë apo një vendim administrativ mund të kthehet në objekt hetimi.
Në këtë kontekst, drejtimi i pushtetit vendor shihet gjithnjë e më shumë si një detyrë me përgjegjësi të lartë – dhe me risk të shtuar për përballje me drejtësinë.
Nga Adriatik GOLEMI










