Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje mbi vendimet dhe diskutimet në Asamblenë Kombëtare të PS-së, duke u ndalur te platforma e re organizative dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Klosi bëri të ditur se Asambleja kishte në fokus miratimin e platformës “Këshilltari i Bashkisë Sime”, organizimin e fushatës elektorale dhe punët organizative të partisë.
Ai theksoi se anëtarët që duan të kontribuojnë në këshillat bashkiakë dhe të bëhen pjesë e platformës duhet të nisin një punë të strukturuar në çdo qendër urbane dhe rurale, me synimin për të përgatitur ofertën e PS-së për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në lidhje me organizimin e ri në nivel vendor, Klosi foli për propozimin e dy bashkëkryetarëve në bashkitë e vendit, ndërsa përmendi edhe emrat e Albana Koçiut dhe Ervin Demos në kuadër të drejtimit të Tiranës.
“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë në të gjitha 61 bashkitë, që me organizimin e ri do të shkojë në 46. Edhe pse mbështetja partiake do të jetë e njëjtë, do të jetë nga dy bashkëkryetarë, nga Albana Koçiu dhe Ervin Demo”, u shpreh Klosi.
I pyetur për Elisa Spiropalin, ai deklaroi se ajo vijon të jetë anëtare e Partisë Socialiste.
“Spiropali është anëtare e partisë”, tha Klosi.










