Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar propozimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, që po zhvillohet me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalëzit, Xhafaj ka kundërshtuar hedhjen në votim të kërkesës për largimin e dy deputetëve nga partia.
Sipas raportimeve nga mbledhja, ai ka kërkuar që ndaj Spiropalit dhe Ndrecës të merren masa disiplinore, por pa shkuar deri te përjashtimi nga Partia Socialiste.
“Të jetë ditë e parë për të gjithë. Të marrin masa, por jo të përjashtohen”, mësohet të jetë shprehur Xhafaj.
Qëndrimi i tij vjen pas propozimit të kryeministrit Edi Rama për të votuar përjashtimin e dy deputetëve, duke e çuar çështjen për shqyrtim përpara Asamblesë Kombëtare.










