Aksident pranë tunelit të Murrizit, dy viktima dhe pesë të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e sotme në Xibër, pranë tunelit të Murrizit, ku përplasja e dy automjeteve ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e pesë të tjerëve.

Viktimat janë identifikuar si Bledian Osmani, rreth 42 vjeç, drejtues i njërit prej automjeteve, dhe Maltina Ferati, pasagjere në automjetin tjetër, që drejtohej nga shtetasi A. F., rreth 45 vjeç.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, përplasja ka ndodhur rreth orës 10:15. Si pasojë, Osmani dhe Ferati kanë humbur jetën, ndërsa pesë persona të tjerë janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.