Veliaj mesazh nga burgu FIER ,para Asamblesë së PS-së: Partia është më e madhe se kryetari, kërkon mocion mosbesimi ndaj Ramës

Vetëm një orë para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Erion Veliaj ka publikuar një reagim nga qelia, ku ndodhet prej muajsh, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtimin e partisë dhe kryetarin Edi Rama.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Veliaj bën të ditur se i është drejtuar Asamblesë me një fjalim, në të cilin ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon sot Partia Socialiste dhe kërkon ndryshime në drejtimin e saj.

“Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj!”, shkruan Veliaj, duke e shoqëruar reagimin me pyetjen “Quo Vadis, PS?”, që përkthehet “Ku po shkon, PS?”.

Në mesazhin e tij, ai kritikon atë që e konsideron zëvendësimin e debatit me heshtjen, solidaritetit me frikën dhe meritokracisë me besnikërinë personale.

Kërkesa më e fortë e Veliajt lidhet me aktivizimin e procedurës statutore për mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai kërkon gjithashtu debat të hapur brenda strukturave të partisë dhe llogaridhënie për mënyrën se si ajo drejtohet.

“Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerëzit e tij”, thuhet në një prej mesazheve të publikuara prej tij.

Reagimi vjen në kohën kur socialistët janë mbledhur në Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalëzit, ku pritet të flasë kryeministri Edi Rama.

Veliaj kishte kërkuar të ishte pjesë e mbledhjes, duke propozuar tri mundësi: praninë fizike, lidhjen online ose leximin e një letre me qëndrimet e tij.