Shqipëria ndër vendet me më pak mjekë në Ballkan, vetëm 53% e mesatares së BE-së

Shqipëria vijon të ketë një numër të ulët mjekësh në raport me popullsinë, duke mbetur pas shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), në vitin 2025 vendi kishte 22.7 mjekë për çdo 10 mijë banorë, një nivel sa 53% e mesatares së Bashkimit Europian.

Në renditjen rajonale, Shqipëria pozicionohet vetëm mbi Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Maqedonia e Veriut kryeson me 33.8 mjekë për 10 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 32.3 dhe Mali i Zi me 27.9. Ndërkohë, Bosnjë-Hercegovina regjistron 21.1 mjekë, ndërsa Kosova 19.

Diferenca me vendet e tjera është e konsiderueshme. Maqedonia e Veriut ka rreth 49% më shumë mjekë për banor se Shqipëria, ndërsa Serbia rreth 42% më shumë.

Edhe krahasimi me mesataren europiane nxjerr në pah hendekun. Maqedonia e Veriut arrin në 79% të nivelit të BE-së, Serbia në 76% dhe Mali i Zi në 65%. Shqipëria mbetet në 53%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina në 49% dhe Kosova në 44%.

Gjatë vitit 2025, Shqipëria ka shënuar një rënie prej 0.9 pikësh përqindjeje në raport me mesataren e BE-së. E njëjta tendencë është vërejtur në të gjitha vendet e rajonit, me rënien më të madhe në Kosovë, me 3.8 pikë përqindjeje, dhe në Maqedoninë e Veriut, me 2 pikë.

Të dhënat tregojnë se mungesa e personelit mjekësor mbetet një problem i përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Për Shqipërinë, numri i ulët i mjekëve përbën një sfidë për funksionimin e sistemit shëndetësor, garantimin e shërbimeve për qytetarët dhe përballimin e kërkesave në rritje për kujdes mjekësor.