Ministria e Drejtësisë ka reaguar për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi drejt burgut të Fierit, duke deklaruar se lëvizja është kryer në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve penitenciare.
Në një njoftim për shtyp, ministria sqaron se pas mbërritjes në IEVP Fier, Veliajt i janë zbatuar procedurat standarde të pranimit, në përputhje me legjislacionin për të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve.
Sipas njoftimit, më 28 tetor ai u vendos në seksionin e pranimit dhe observimit, ndërsa më 29 tetor strukturat përgjegjëse zhvilluan një takim me të, ku u dëgjuan pretendimet e tij dhe iu dhanë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet gjatë qëndrimit në institucion. Pas kësaj procedure, komisioni i pranimit vijoi me sistemimin e tij të plotë.
Sa i përket urdhrit të transferimit, Ministria e Drejtësisë bën të ditur se ai është miratuar sipas procedurave standarde, por është klasifikuar si “sekret shtetëror”. Për këtë arsye, administrimi dhe vënia e tij në dispozicion i nënshtrohen kritereve të përcaktuara nga ligji për informacionin e klasifikuar.
Ministria konfirmon gjithashtu se për transferimin e Veliajt është njoftuar organi i prokurorisë.
Në reagim theksohet se, në bazë të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, urdhrat e transferimit për arsye të përligjura nxirren nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Sipas institucionit, vlerësimi dhe vendimmarrja për këto raste janë pjesë e kompetencave dhe diskrecionit administrativ të këtij autoriteti, brenda kritereve ligjore.
Për të argumentuar se transferimet janë pjesë e praktikës së zakonshme, ministria bën me dije se nga data 16 deri më 27 tetor 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kryer gjithsej 24 transferime në përputhje me kuadrin ligjor.
Në përfundim, institucioni thekson se do të vijojë të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve në burgje, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.










