Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes së naftës dhe benzinës në Shqipëri, pas mbledhjes së zhvilluar këtë të enjte, më 29 tetor.
Sipas vendimit, nafta do të tregtohet me pakicë me një çmim maksimal prej 212 lekësh për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk do të kalojë 200 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është përcaktuar në 181 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 169 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi këtë të enjte, në orën 15:00, dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, kur do të rishikohen në varësi të zhvillimeve në treg.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit.
Bordi u ka bërë thirrje operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të zbatojnë çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar se shkeljet e konstatuara mund të çojnë deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë me dije se synimi i masave është mbrojtja e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg.










