Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar pas pretendimeve se ka blerë një banesë në Tiranë me vlerë 240 mijë euro, pak muaj pasi mori mandatin e deputetes.
Reagimi erdhi pas një komenti në rrjetet sociale, ku një ndjekës vuri në pikëpyetje mundësinë e blerjes së një shtëpie me këtë vlerë pas vetëm një viti pune si deputete.
Çaushi i ka cilësuar të pavërteta pretendimet për shumën prej 240 mijë eurosh, duke sqaruar se ka prenotuar një apartament në një pallat në Tiranë, ndërtimi i të cilit ende nuk ka nisur. Sipas saj, pagesa do të kryhet përmes një kredie dhe kësteve.
“Po mirë mo, ku bazohesh ti që kam marrë shtëpi 240 mijë euro? Apo mjafton të shpikësh një shifër dhe ta thuash si të ishte e vërtetë?
Unë kam prenotuar një apartament, siç bëjnë mijëra shqiptarë, me kredi dhe me këste, në një pallat që ende nuk ka nisur të ndërtohet. Nuk kam marrë asnjë shtëpi të përfunduar. Nëse ke fakte për ato që pretendon, paraqiti. Përndryshe, mos shpik shifra dhe mos i shit si të vërteta në komente pas tastierës”, shkroi Çaushi në përgjigjen e saj.










