Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj disa personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, mes tyre edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Rexhep Rraja, Emiljan Burba dhe Ervis Shuli akuzohen si drejtues të një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike në disa shtete. Ndërsa Bujar Sefa, i njohur edhe me pseudonimet Xaka dhe Lala, Mavin Bushati, Jani Çavo, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Sokol Qaja, Aldo Gjini, i njohur si Iamandi, Bledar Cafi, i njohur si Blerti, Endrit Dokle, i njohur si Indrit, dhe Zamir Aliaj, i njohur si Çoku, akuzohen për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Për të njëjtat vepra penale akuzohen edhe Islam Sefa, i njohur si Xaka, Hajdar Sefa, i njohur si Xaka dhe Lala, si dhe Vidjan Baroka. Ndërsa Agim Nina, i njohur edhe si Lorenc Selmani, akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Komunikimet në SkyECC zbuluan aktivitetin e dyshuar kriminal
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë komunikuar dhe koordinuar veprimtarinë e dyshuar kriminale përmes platformës së enkriptuar të komunikimit “SkyECC”.
Komunikimet janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.
Sipas dosjes hetimore, të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me persona ende të paidentifikuar, kanë trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria dhe Ekuadori drejt Malit të Zi, Gjermanisë, Turqisë dhe Holandës.
Tre episodet e trafikut të drogës
Hetimet kanë dokumentuar tre episode të sekuestrimit të sasive të mëdha të lëndëve narkotike në shtete të ndryshme.
Më 3 nëntor 2020, autoritetet e Malit të Zi sekuestruan 1.722 kilogramë marijuanë, e cila ishte dërguar nga Shqipëria dhe kishte si destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Më 23 nëntor 2020, autoritetet e Holandës sekuestruan 475 kilogramë kokainë, e dërguar nga Ekuadori në portin e Vlissingenit.
Ndërsa më 26 janar 2021, autoritetet turke sekuestruan rreth 236 kilogramë marijuanë, e cila ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Turqinë.
Pas përfundimit të hetimeve, SPAK ka dërguar çështjen për gjykim. Të përfshirët në dosje prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.










