Aksidentet rrugore në Shqipëri janë rritur me 6% gjatë periudhës janar-shtator 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, në nëntë muajt e parë të vitit janë regjistruar 1.090 aksidente, nga 1.028 që ishin në vitin 2025.
Si pasojë e aksidenteve, numri i personave të vrarë dhe të plagosur ka arritur në 1.508, kundrejt 1.441 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm gjatë muajit shtator janë regjistruar 107 aksidente rrugore, pesë më shumë se në shtatorin e vitit 2025, kur u shënuan 102. Megjithatë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur ka rënë nga 135 në 130.
Tirana dhe Durrësi kryesojnë për numrin e aksidenteve
Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore. Gjatë periudhës janar-shtator janë regjistruar 401 aksidente, nga 306 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur në kryeqytet është rritur nga 382 në 493.
Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe Durrësi, ku janë regjistruar 117 aksidente, kundrejt 67 një vit më parë. Ndërkohë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur është rritur nga 100 në 160.
Rritje të aksidenteve janë regjistruar edhe në Gjirokastër, nga 48 në 57, si dhe në Kukës, nga 23 në 30.
Në të kundërt, Lezha ka shënuar rënie nga 138 në 122 aksidente, Shkodra nga 81 në 49, ndërsa Korça nga 99 në 81.
Sjellja e drejtuesve, shkaku kryesor i aksidenteve
Sipas INSTAT, sjellja e drejtuesve të mjeteve vijon të jetë faktori kryesor i lidhur me aksidentet rrugore. Gjatë muajit shtator, 90,7% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Në këtë kategori përfshihen shkeljet e rregullave të qarkullimit, mosrespektimi i sinjalistikës, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe manovrat e papërshtatshme.
Për sa i përket grupmoshave, të rinjtë nga 0 deri në 24 vjeç përbëjnë 27,1% të numrit të aksidenteve të regjistruara gjatë shtatorit.
E premtja dhe orët e mbrëmjes, më problematiket
Statistikat tregojnë se e premtja është dita me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore gjatë shtatorit, duke përbërë 16,8% të totalit. Ndërsa e shtuna rezulton dita me më pak aksidente, me 11,2%.
Sa i përket orarit, intervali 19:00–24:00 regjistron numrin më të lartë të aksidenteve, duke përfaqësuar 26,2% të totalit mujor.
Të dhënat e INSTAT evidentojnë një rritje të aksidenteve rrugore në shkallë vendi gjatë nëntë muajve të parë të vitit, duke e mbajtur sigurinë rrugore në fokus të problematikave që lidhen me respektimin e rregullave të qarkullimit dhe sjelljen e drejtuesve të mjeteve.










