Nis protesta e thirrur nga PD para Kryeministrisë, digjet tryeza e dialogut të kryeministrit Rama

Deputetët e PD-së marshojnë drejt Kryeministrisë, protestuesit djegin jastëkët e vendosur nga Rama

Deputetë të Partisë Demokratike dhe simpatizantë të saj janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë nisur marshimin nga selia blu drejt Kryeministrisë.

Në protestë janë bashkuar deputetët Flamur Noka, Klevis Balliu, Belind Këlliçi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Saimir Korreshi, si dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike dhe mbështetës të opozitës.

Menjëherë pas mbërritjes para godinës së Kryeministrisë, mbështetësit e PD-së u kanë vënë flakën jastëkëve të vendosur nga kryeministri Edi Rama në tryezën e propozuar për dialog.

Tubimi zhvillohet në ditën e 12-të të protestës studentore, ndërsa për këtë të shtunë është thirrur një protestë kombëtare në kryeqytet.

Protestës së studentëve u janë bashkuar në shenjë solidariteti pedagogë, mjekë dhe përfaqësues të sindikatës së biznesit të vogël. Pjesëmarrja pritet të përfshijë edhe studentë nga qytete të tjera të vendit.