Rreth 2 mijë policë në terren për protestën kombëtare, frikë për përshkallëzim të situatës

Rreth 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në terren për protestën kombëtare të thirrur sot në orën 14:00 në Tiranë. Pritet që tubimit t’i bashkohen më shumë qytetarë se në ditët e mëparshme.

Masat e shtuara të sigurisë vijnë pas episodeve të dhunës dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestave të javës së kaluar, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e incidenteve edhe gjatë tubimit të sotëm.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, rreth 2 mijë punonjës policie janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Në protestat e ditëve të fundit, policia ka ndjekur një taktikë të ndryshme nga ajo e mëparshmja, duke mos lejuar që protestuesit të grumbullohen në një pikë të vetme. Mbetet për t’u parë nëse e njëjta strategji do të ndiqet edhe gjatë protestës së sotme, në kushtet kur pritet një pjesëmarrje më e lartë e qytetarëve.