Ka përfunduar investimi për rikonstruksionin e kabinave elektrike dhe rrjetit të tensionit të ulët në zonat e Patosit dhe Ballshit, me një vlerë prej 92.2 milionë lekësh, përfshirë TVSH-në.
Projekti është realizuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), përmes Drejtorisë Rajonale Fier, dhe synon përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për abonentët, duke rritur qëndrueshmërinë e rrjetit dhe duke reduktuar defektet e ndërprerjet, veçanërisht gjatë kushteve të këqija atmosferike.
Për banorët e këtyre zonave, ndërhyrja pritet të sjellë një furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike, duke shmangur problematikat që shfaqeshin sa herë që moti përkeqësohej, kur defektet në rrjet shoqëroheshin me ndërprerje të energjisë.
Punimet janë kryer nga kompania “ED Konstruksioni” sh.p.k., ndërsa mbikëqyrja është realizuar nga bashkimi i operatorëve “M.A.K Studio” sh.p.k. dhe “G & L Construction” sh.p.k.










