Protesta e dhunshme në Tiranë, 56 të arrestuar dhe 97 të proceduar penalisht

Policia e Tiranës ka arrestuar 56 persona dhe ka nisur procedimin penal për 97 të tjerë, pas akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit protestuesit kanë hedhur gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të efektivëve dhe godinave të institucioneve shtetërore. Gjithashtu, janë dëmtuar biznese, banka, sinjalistika rrugore dhe prona publike e private, ndërsa janë djegur edhe automjete të Policisë.

Si pasojë e përplasjeve, 24 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

Mes personave të arrestuar ka edhe 16 të mitur, të moshave 15 deri në 17 vjeç. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në aktet e dhunshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.