Delegacioni i BE-së reagon për protestën: Të ulen tensionet dhe të respektohen të drejtat themelore

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar zyrtarisht lidhur me protestën e studentëve, e cila për të dytën ditë po vijon para Ministrisë së Arsimit.

Në reagimin e tij, delegacioni shpreh shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.

Delegacioni thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Gjithashtu, ai shprehet se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Për këtë arsye, kërkon që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, ndërsa rastet e pretenduara të hetohen me përparësi.

“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë.

Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi.

Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet.

Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.