Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka përgëzuar Shqipërinë për progresin në procesin e integrimit evropian, teksa sot mbyllen negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Gjatë fjalës së saj, Kos vlerësoi punën e institucioneve shqiptare, duke theksuar se mbyllja e këtij kapitulli do të sjellë përfitime konkrete për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat i cilësoi si shtyllën kurrizore të ekonomisë.
Ajo përgëzoi administratën publike dhe qytetarët shqiptarë për këtë arritje, duke ia dedikuar gjithashtu ministres Delina Ibrahimaj.
Komisionerja theksoi se Shqipëria synon të përfundojë negociatat për të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027, objektiv për të cilin kërkohet angazhimi i qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile.
“Anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar. Ne po përgatitemi për një Bashkim Evropian më të zgjeruar dhe mesazhi ynë është se ne mund ta bëjmë të funksionojë. E ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe këtë po e bëjmë së bashku me ju”, u shpreh Marta Kos.










