Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të mbështesë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Në një deklaratë për mediat këtë të martë, Balla tha se nuk e ka kuptuar qëndrimin e opozitës në Konferencën e Kryetarëve, ndërsa shprehu shpresën se PD-ja do të reflektojë dhe do të bëhet pjesë e diskutimeve.
Sipas Ballës, debati për reformën nuk duhet të kufizohet vetëm te numri i bashkive, por duhet të përqendrohet edhe te kompetencat që do t’u transferohen pushtetit vendor, fondet që do të ndahen për bashkitë dhe organizimi i rajoneve.
“ Nëse e kanë me merak këtë problem, të vijnë në Komision. Hajde të diskutojmë edhe për fondet që do të ndahen për bashkitë. Hajde të flasim për rajonet”, u shpreh Balla, duke shtuar se, sipas tij, Reforma Territoriale është në përputhje me Kushtetutën.
Gjatë deklaratës, Balla bëri të ditur gjithashtu se presidenti Bajram Begaj pritet të dekretojë javën e ardhshme datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ai tha se data do të caktohet brenda periudhës 15 prill–15 maj.
Një tjetër çështje e ngritur nga kreu i grupit parlamentar socialist ishte propozimi për uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 101, përmes ndryshimeve kushtetuese.
Balla ftoi opozitën të bëhet pjesë e diskutimeve për këtë propozim, si dhe për ndryshimet kushtetuese që lidhen me krijimin e rajoneve, duke deklaruar se PS-ja është e hapur për dialog.










