Ndahet nga jeta piktori i njohur fierak Minella Saro

Është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare piktori i njohur Minella Saro, një prej emrave të spikatur të arteve figurative në Fier, i cili ia kushtoi jetën krijimtarisë artistike dhe mësimdhënies.

I diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Minella Saro ishte ndër themeluesit e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Fier, në vitin 1970, si dhe i Degës së Arteve Figurative pranë Shkollës Artistike “Jakov Xoxa”, të krijuar në vitin 1981.

Gjatë karrierës së tij artistike, Saro realizoi dhjetëra kompozime, peizazhe dhe portrete, duke lënë gjurmë në artin pamor shqiptar. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mbledhja e taksave”, e cila mori pjesë në Bienalen e Kajros në vitin 1962, “Mbledhja e Poçemit”, “Shpallja e Pavarësisë”, “Njerëzit e ditëve tona” dhe “Vajzat dhe çadrat”.

Krijimtaria e tij u dallua për lirizmin, koloritin dhe freskinë e ngjyrave, elemente që karakterizuan stilin e tij artistik.

Vepra të Minella Saros ruhen dhe ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe në Galerinë e Arteve Figurative “Vilson Kilica” në Fier, si dhe në galeri e koleksione private në Shqipëri, Francë dhe vende të tjera.

Ndarja nga jeta e Minella Saros shënon humbjen e një artisti që kontribuoi në zhvillimin e arteve figurative dhe në formimin e brezave të rinj të artistëve në Fier.