Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar lidhur me rezultatet e fundit të testimit ndërkombëtar PISA, ku Shqipëria shënoi përmirësim të ndjeshëm në matematikë, shkencë dhe lexim.
Në një reagim publik, Koçeku vlerëson rezultatet e nxënësve që morën pjesë në testim, por shpreh shqetësim për mënyrën se si ato po paraqiten si tregues i përgjithshëm i arsimit shqiptar.
Sipas saj, OECD i ka vendosur Shqipërisë një shenjë dalluese në raport, e cila lidhet me faktin se pjesëmarrja e shkollave në testim ka qenë nën pragun e kërkuar. Ajo thekson se vetëm 76% e shkollave morën pjesë në testim, ndërsa standardi i kërkuar është 85%.
Koçeku nënvizon se jashtë testimit kanë mbetur edhe shkollat me më pak se 21 nxënës, të cilat ndodhen kryesisht në zona rurale dhe komunitete të vogla, ku sfidat në arsim janë më të mëdha.
“Problemi nuk është që rezultatet e nxënësve që morën pjesë janë të mira. Problemi është t’i paraqesësh ato si dëftesën e të gjithë arsimit shqiptar, kur një pjesë e realitetit arsimor ka mbetur jashtë testimit”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, ish-deputetja ndalet edhe te kushtet e shkollave në zonat e largëta, mungesa e investimeve dhe trajtimi i mësuesve, duke theksuar se cilësia e arsimit nuk matet vetëm me teste ndërkombëtare, por edhe me mundësitë që u ofrohen fëmijëve në çdo cep të vendit.
Sipas Koçekut, një sukses i vërtetë për arsimin shqiptar do të ishte ulja e numrit të shkollave në kushte të vështira, përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe trajtimi me dinjitet i mësuesve.










