Aksidenti me një viktimë dhe tre të plagosur, Prokuroria godet zinxhirin e përgjegjësisë në Tropojë


Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka proceduar penalisht dy zyrtarë të Bashkisë Tropojë pas aksidentit tragjik që i mori jetën një punonjësi dhe la të plagosur tre të tjerë gjatë montimit të një shtylle ndriçimi rrugor në fshatin Bujan.

Me kërkesë të Prokurorisë janë ndaluar shtetasit N.Gj., Drejtor i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit në Bashkinë Tropojë, si dhe G.H., teknik i mirëmbajtjes së rrugëve. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 289 të Kodit Penal.

Sipas organit të akuzës, ndalimi i tyre është bërë në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 390 të vitit 2026, të regjistruar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 8 shtator në territorin e Bashkisë Tropojë.

Nga hetimet paraprake rezulton se punonjësit e bashkisë M.S., A.D., I.D. dhe A.A., teksa po montonin një shtyllë të ndriçimit rrugor, kanë rënë në kontakt me përcjellës elektrikë. Si pasojë, ka humbur jetën punonjësi M.S., ndërsa tre kolegët e tij kanë mbetur të plagosur.

Prokuroria po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.