Banorët e Marinzës hyjne në sheshin satelit 3 të Bankers Petroleum, paralajmërojnë bllokimin e punës


Protesta e banorëve të fshatrave të zonës naftëmbajtëse të Marinzës është zhvendosur mëngjesin e sotëm përballë sheshit satelit 3 të kompanisë Bankers Petroleum. Protesta e zhvilluar dy ditë më parë pranë zyrave të kompanisë në vendburim nuk solli asnjë negociatë me përfaqësuesit e saj.

Përballë kësaj situate, banorët kanë vendosur të përshkallëzojnë reagimin e tyre, duke vijuar protestën me bllokimin e shesheve të punës. Ashtu siç kishin paralajmëruar, ata u mblodhën sot pranë sheshit satelit 3 dhe hapën me forcë portën hyrëse për të hyrë në ambientet e tij.

Protestuesit kundërshtojnë vendimin për përgjysmimin e vlerës së qirasë së tokës, duke deklaruar se nuk do të pranojnë uljen e saj nga 4 milionë lekë për dynym në 2 milionë lekë. Ata ndodhen tashmë brenda ambienteve të sheshit satelit 3, ku synojnë të bllokojnë aktivitetin e punës deri në marrjen e një përgjigjeje nga kompania për kërkesat e tyre.