Dita e 41-të e protestës në Divjakë, banorët: Nuk heqim dorë nga statusi i bashkisë


Banorët e Divjakës kanë vijuar për të 41-ën ditë radhazi protestën kundër ndryshimeve të propozuara për statusin e bashkisë. Edhe mbrëmjen e së mërkurës, një grup protestuesish u mblodh në sheshin para Bashkisë së Divjakës, duke përsëritur thirrjen e tyre kryesore: “Divjaka bashki!”.

Megjithëse numri i pjesëmarrësve është zvogëluar krahasuar me ditët e para të protestës, qytetarët që vazhdojnë të qëndrojnë në shesh shprehen të vendosur për të mos u tërhequr nga kërkesa e tyre që Divjaka të ruajë statusin e bashkisë.

Protestuesit pretendojnë se gjatë këtyre 41 ditëve janë përballur me presione dhe përpjekje për të zbehur apo ndërprerë protestën. Sipas tyre, këto presione kanë ardhur si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga institucionet qendrore.

Ndryshe nga mbrëmjet e tjera, protesta e kësaj të mërkure u zhvillua pa fjalime. Pas qëndrimit në sheshin para bashkisë, banorët marshuan në rrugët e qytetit, duke përsëritur kërkesën që Divjaka të vijojë të mbetet bashki.