Bursa Bujqësore, qeveria prezanton mekanizmin e ri për tregtimin e prodhimeve bujqësore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar nismën për krijimin e Bursës Bujqësore, një mekanizëm i ri që synon të rrisë transparencën në treg dhe të forcojë pozitën e fermerëve në procesin e shitjes së prodhimit.

Sipas ministrit, platforma do t’u mundësojë blerësve me shumicë të publikojnë kërkesat e tyre për produkte bujqësore, duke specifikuar sasinë, cilësinë dhe çmimin që ofrojnë. Fermerët do të kenë mundësinë të shohin dhe krahasojnë ofertat në kohë reale, duke zgjedhur variantin më të favorshëm.

“Kalojmë nga pyetja ‘sa është çmimi?’ te ‘kush po e blen dhe cila është oferta më e mirë?’. Çdo ditë, fermerët do të kenë akses në këtë informacion, duke u lidhur drejtpërdrejt me kërkesën reale të tregut”, deklaroi Salla.

Sipas tij, Bursa Bujqësore do të krijojë një treg më të organizuar dhe konkurrues, ndërsa do të rrisë fuqinë negociuese të fermerëve përballë blerësve.

Ministri theksoi se nisma vjen si përgjigje ndaj një prej shqetësimeve kryesore të fermerëve, çmimit të shitjes së prodhimeve bujqësore, duke synuar të sigurojë më shumë alternativa dhe mundësi për fitime më të drejta.

“Bursa Bujqësore është një hap i ri drejt një tregu më të fortë dhe më të drejtë për fermerin shqiptar”, u shpreh ai.