Dy grabitje në Berat, hajdutët marrin kasafortat e dy biznesmenëve

Dy grabitje të bujshme janë regjistruar gjatë 10 ditëve të fundit në qarkun e Beratit, ku dy biznesmenë kanë rënë pre e vjedhjeve gjatë orëve të natës. Në të dyja rastet, autorët kanë përdorur të njëjtën skemë, duke hyrë me forcë në ambiente dhe duke marrë kasafortat me shuma të konsiderueshme parash.

Një nga ngjarjet ka ndodhur në biznesin “Veza e Mëngjesit”, përgjatë aksit nacional Berat–Dimal, në pronësi të Leonard Fanit. Sipas burimeve, autorët kanë shqyer derën kryesore të objektit dhe më pas kanë marrë kasafortën që ndodhej në ambientet e biznesit.

Një tjetër grabitje është regjistruar në banesën e Lumnir Osojës, pronar i kompanisë “Center Albania”. Edhe në këtë rast, hajdutët kanë hyrë pasi kanë dëmtuar derën kryesore të banesës dhe kanë marrë kasafortën.

Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat bëjnë me dije se, sipas deklarimeve të vetë biznesmenëve në polici, në secilën prej kasafortave ndodheshin rreth 100 milionë lekë.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se pas dy grabitjeve mund të qëndrojë i njëjti grup kriminal. Autorët dyshohet se kanë vepruar të maskuar, duke përdorur maska dhe kapuça për të fshehur identitetin.

Në kuadër të hetimeve, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë si në biznesin e grabitur ashtu edhe në banesën e biznesmenit. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi apo arrestimi i autorëve.

Ngjashmëria në mënyrën e veprimit dhe fakti që të dyja grabitjet janë kryer brenda një harku të shkurtër kohor kanë forcuar dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtin grup autorësh. Pavarësisht vlerës së lartë të shumave të pretenduara të vjedhura, Policia e Beratit ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar për këto ngjarje.

Hetimet vijojnë, ndërsa grupi hetimor po analizon provat dhe pamjet filmike me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve.