Fieri pa ujë në mes të vapës, ujësjellësi ndryshon arsyen e ndërprerjes pas reagimeve të banorëve

Fieri po përballet me mungesën e ujit të pijshëm në një periudhë kur temperaturat e larta kanë përvëluar qytetin, duke e bërë edhe më të vështirë situatën për banorët. Prej mbrëmjes së djeshme, qytetarët janë njoftuar dje për një ndërprerje të furnizimit me ujë që pritet të zgjasë rreth mesdites se sotme

Ajo që ka shkaktuar reagime te banorët është arsyeja e ndërprerjes, e cila ka ndryshuar në njoftimet e publikuara nga Ujësjellës-Kanalizime Fier.

Në njoftimin e parë, ndërprerja e furnizimit justifikohej me nevojën për pastrimin e depove të ujit, për shkak të papastërtive të konstatuara në to.

Pas reagimeve të qytetarëve, ujësjellësi ka korrwktuar njoftimin duke shtuar se ndërprerja lidhet me punimet për lidhjen e depove me stacionin e ri të pompimit.

Ndryshimi i argumentit ka ngritur pikëpyetje te banorët e Fierit, të cilët tashmë përballen me mungesën e ujit në rubinetat e tyre pikërisht në ditët kur temperaturat e larta e bëjnë furnizimin me ujë një nevojë të domosdoshme.

Ndërkohë, qytetarët presin rikthimin e furnizimit dhe një shpjegim të qartë mbi arsyen e vërtetë të ndërprerjes, si dhe për kohën që do të nevojitet për normalizimin e situatës.