Shqipëria renditet në grupin e vendeve me naftën më të shtrenjtë në Europë, ndërsa çmimi në tregun vendas ka arritur në 219 lekë për litër.
Me kursin rreth 91 lekë për euro, një litër naftë në Shqipëri kushton afërsisht 2.41 euro.
Krahasimi me çmimet europiane tregon nivelin e lartë të karburantit në vendin tonë. Në tabelën e çmimeve të publikuar, Danimarka kryeson me 2.498 euro/litër, e ndjekur nga Zvicra me 2.453 euro. Me çmimin prej 2.41 eurosh, Shqipëria do të renditej menjëherë pas tyre.
Nafta në Holandë kushton 2.379 euro/litër, në Finlandë 2.327 euro, në Gjermani 2.279 euro, ndërsa në Francë 2.246 euro.
Edhe përballë vendeve fqinje, çmimi shqiptar është dukshëm më i lartë. Në Itali nafta kushton 2.154 euro/litër, në Greqi 2.054 euro, ndërsa në Serbi 1.982 euro/litër.
Kështu, me 219 lekë për litër, Shqipëria është ndër tregjet më të shtrenjta të karburanteve në Europë, pavarësisht diferencave të mëdha në nivelin e të ardhurave krahasuar me vendet e tjera europiane.
Çmimi i lartë i naftës prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve, por gjithashtu rrit kostot e transportit, prodhimit dhe të shërbimeve, duke ushtruar presion mbi çmimet e produkteve të tjera.










