Avokati Maks Haxhia ka dhënë detaje pas seancës së sotme në GJKKO, ku Ergys Agasit iu komunikua masa e sigurisë në kuadër të hetimeve të SPAK.
Haxhia tha se gjatë seancës, pas analizimit të provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, akuza për heqje të paligjshme të lirisë në drejtim të Agasit nuk qëndroi.
“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë në drejtim të zotit Agasi, me analizat që iu bënë provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi”, deklaroi avokati.
Sa i përket akuzës për korrupsion pasiv, Haxhia tha se mbrojtja ka ngritur pikëpyetje mbi materialin e paraqitur nga organi i akuzës.
“Pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuzën për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës. Sot u paraqit kjo akuzë”, u shpreh ai.
Avokati shtoi se klienti i tij ka dhënë shpjegime para gjykatës dhe ka mohuar çdo përfshirje në procedurat e tenderimit.
“Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në tendera, nuk ka pasur asnjë përfitim nëpërmjet tenderimit dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”, tha Maks Haxhia.










