Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka kërkuar 389 efektivëve të rinj, të cilët përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, që në detyrën e tyre të udhëhiqen nga ligji, shërbimi ndaj qytetarëve dhe respekti për Dëshmorët e Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë së certifikimit, Hita u bëri thirrje efektivëve të rinj të ruajnë integritetin dhe të mos bien pre e arrogancës, korrupsionit apo ofertave për bashkëpunim me grupet kriminale.
“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit”, deklaroi Hita.
Ai theksoi se Policia e Shtetit ka nevojë për energjinë dhe mentalitetin e brezit të ri, duke nënvizuar se ruajtja e besimit të qytetarëve duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të çdo punonjësi policie.
“Shërbejuni qytetarëve me përulësi, ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit. Reagoni me guxim, korrektësi e paanshmëri dhe brenda kornizës ligjore përballë çdo padrejtësie e paligjshmërie”, u shpreh ai.
Hita paralajmëroi gjithashtu efektivët e rinj për pasojat e bashkëpunimit me krimin, duke u kërkuar të mos shkëmbejnë uniformën, dinjitetin dhe të ardhmen e tyre për përfitime të momentit.
“Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.
Në fund, ai u kërkoi efektivëve të shmangin arrogancën në komunikimin me qytetarët, duke e cilësuar besimin e tyre si një nga pasuritë më të rëndësishme të Policisë së Shtetit.










