Kostoja totale e deputetëve të Kuvendit gjatë muajit korrik ka kaluar 707 mijë euro, ose rreth 65 milionë lekë. Përveç pagave bruto, që për të gjithë deputetët kapin mbi 42 milionë lekë në muaj, ligjvënësit kanë përfituar edhe rreth 23 milionë lekë në formën e rimbursimeve.
Zëri më i madh i shpenzimeve për rimbursimet janë dietat për udhëtimet brenda vendit. Gjatë korrikut, për këtë kategori janë shpenzuar mbi 156 mijë euro. Kryeson listën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, me rreth 2 mijë euro të rimbursuara, i ndjekur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, me rreth 1,900 euro.
Një tjetër zë i konsiderueshëm është karburanti. Pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës, deputetët kanë përfituar rreth 50 mijë euro rimbursime për karburant gjatë muajit korrik. Për pjesën më të madhe të tyre, rimbursimi ka qenë në vlerën 40 mijë lekë.
Në shpenzimet e rimbursuara përfshihen edhe faturat telefonike, përgjithësisht rreth 200 euro, si dhe honoraret për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare, deri në 24 mijë lekë.
Në listë janë edhe rimbursimet për qiratë e banesave. Mes rasteve të evidentuara është ai i deputetes së partisë “Shqipëria Bëhet”, Ana Dajko, e cila ka përfituar rreth 140 mijë lekë të vjetra për qira gjatë korrikut, pavarësisht se ka deklaruar pasuri mbi 1 milion euro dhe disa apartamente në pronësi.
Sipas përllogaritjeve ,në krye të listës së përfituesve për muajin korrik janë deputetët e rinj, të cilët përveç pagës kanë përfituar edhe rimbursime për shpenzime të ndryshme.
Zamira Sinaj e Vlorës, Elton Korreshi i Fierit dhe socialistja Antoneta Dhima kanë përfituar rreth 260 mijë lekë rimbursime. Pas tyre renditen Erjo Mile i PS-së, nga Fieri, dhe Bledi Çomo i Pogradecit, me rreth 258 mijë lekë.
Rreth 255 mijë lekë ka përfituar deputetja e PD-së, Ledina Alolli, ndërsa Zegjine Çaushi e PS-së rezulton me rreth 253 mijë lekë.
Në krahun tjetër, deputetët me më shumë përvojë parlamentare rezultojnë ndër përfituesit më të ulët. Lindita Nikolla ka vlerën më të ulët nga deputetët e PS-së, ndërsa Sali Berisha nga PD-ja ka përfituar rreth 500 euro shtesë. Pas tyre renditen Agron Shehaj dhe Elisa Spiropali.
Ndër deputetët me përfitime më të ulëta mujore janë edhe Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku. Mes deputetëve të rinj, ndër më të ulëtit janë Loer Kume i PS-së në Durrës, Tedi Mulaj i PSD-së dhe Marjana Koçeku, deputete e PS-së që tashmë është e pavarur.










