Banka e Shqipërisë blen 139.6 mln euro, por euro vijon rënien – kursi zbriti në 93 lekë

Banka e Shqipërisë ka blerë 139.6 milionë euro në tregun e brendshëm gjatë tremujorit të parë të vitit, në përpjekje për të rritur rezervën valutore dhe për të zbutur luhatjet e kursit të këmbimit. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë arritur të frenojnë zhvlerësimin e euros, e cila në fillim të korrikut zbriti në nivelin e 93 lekëve.

Sipas të dhënave, Banka Qendrore zhvilloi tre ankande me instrumentin FORWARD, duke blerë gjithsej 44.1 milionë euro, si dhe realizoi katër ndërhyrje të tjera në tregun valutor, ku u blenë 95.5 milionë euro për objektivat e politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Deri në fund të vitit, Banka e Shqipërisë planifikon të blejë 330–450 milionë euro nga bankat tregtare, rreth 100 milionë euro më shumë se plani i vitit 2025. Rritja e flukseve valutore nga turizmi gjatë verës pritet të shoqërohet me më shumë ankande për blerjen e euros.

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë shërben për përballimin e detyrimeve të jashtme të shtetit, mbështetjen e tregtisë ndërkombëtare dhe ndërhyrjet në treg për të kufizuar luhatjet e forta të kursit të këmbimit. Megjithatë, deri tani, presioni për forcimin e lekut ka vijuar, duke e mbajtur euron në nivelet më të ulëta të viteve të fundit.