Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka propozuar pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik, me synimin për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike në vend.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, Balla u shpreh se në shumë zona turistike vijojnë proceset ndërtimore pranë hoteleve, duke penguar pushimin e turistëve.
“Në shumë zona turistike, kam qenë dëshmitar kur vazhdojnë proceset ndërtimore ngjitur me hotelet, duke pamundësuar pushimin për pushuesit. Për këtë arsye kemi propozuar në këtë projektligj që të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se masa synon të krijojë kushte më të mira për pushuesit dhe të rrisë standardet e turizmit shqiptar gjatë periudhës së sezonit veror.










