Spiropali dorëzon mocionin për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, thumbon Ramën: Qytetarëve t’u përgjigjemi me përulësi, jo me arrogancë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit mbi një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.

Në një deklaratë për mediat, Spiropali tha se dokumenti nuk është një nismë personale, por një platformë e hapur për kontributin e të gjithë anëtarëve të PS-së. Sipas saj, një marrëveshje e re për vendin nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të pasqyrojë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë.

“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe shoqërisë”, deklaroi ajo.

Spiropali kërkoi më shumë demokraci, përfaqësim dhe drejtësi shoqërore, si dhe një raport më të drejtë mes shtetit dhe qytetarëve. Ajo theksoi se të rinjtë janë në pararojë të kërkesave për ndryshim dhe se Partia Socialiste ka mundësinë t’u përgjigjet këtyre pritshmërive.

Në fund të deklaratës së saj, Spiropali lëshoi edhe një mesazh që u interpretua si kritikë ndaj kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama.

“Duhet t’u përgjigjemi qytetarëve me përulësi, jo me arrogancë”, u shpreh ajo.