Shqipëria hedh hapin e parë drejt BE-së, Kos: Një moment i ri për zgjerimin europian

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian ka hyrë në një fazë të re, pasi në të njëjtën ditë u zhvilluan katër konferenca ndërqeveritare për Shqipërinë, Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi këtë një moment historik për vendet kandidate që synojnë anëtarësimin në Union.

“Sot është një ‘super e martë’ për zgjerimin e Bashkimit Europian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin po hedhin hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Kos.

Në këtë kuadër, Shqipëria shënon një hap të rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit, duke pritur mbylljen e kapitujve të parë me Bashkimin Europian. Kapitujt që përfundojnë lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.

Kos e renditi Shqipërinë mes vendeve që po avancojnë në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se Mali i Zi vijon të jetë shteti më përpara në negociata, me 18 nga 33 kapituj të mbyllur.

“Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, u shpreh komisionerja europiane.

Krahas Shqipërisë dhe Malit të Zi, edhe Ukraina dhe Moldavia po avancojnë në rrugën drejt Bashkimit Europian, në një periudhë kur zgjerimi është rikthyer në qendër të agjendës së Unionit.

Mbyllja e kapitujve të parë për Shqipërinë përbën një nga etapat më të rëndësishme të procesit negociues, por vendi duhet të vijojë reformat dhe përmbushjen e kritereve në kapitujt e tjerë përpara përfundimit të procesit teknik të anëtarësimit.