“Shqipëria Bëhet” padit në Kushtetuese fondin 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, Lapaj: Shteti po vepron si organizatë kriminale

Lëvizja politike “Shqipëria Bëhet” ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një padi kundër vendimit të qeverisë për alokimin e fondit prej 4 milionë eurosh për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, i cili është planifikuar të mbahet nesër në Tiranë.

Gjatë një deklarate për mediat, drejtuesi i lëvizjes, Adriatik Lapaj, e cilësoi vendimin e qeverisë si të papranueshëm dhe akuzoi institucionet shtetërore për keqpërdorim të fondeve publike.

“Shteti shqiptar po vepron si një organizatë kriminale. Ne do të luftojmë në kohë reale për çdo padrejtësi që bëhet, por nuk kemi në dorë të ndalojmë çmenduritë e Edi Ramës. Paratë i japim me dorë dhe do t’i marrim me këmbë. Kjo është fatkeqësia e kombit tonë,” u shpreh Lapaj.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” kërkon që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit të qeverisë për financimin e koncertit me fonde publike.