Balla në Strasburg: Projekti në Zvërnec do të zbatohet vetëm sipas standardeve mjedisore

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Strasburg se projekti i zhvillimit në Zvërnec do të ecë përpara vetëm në përputhje të plotë me legjislacionin dhe standardet mjedisore.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se zona e Zvërnecit ka rëndësi të veçantë ekologjike dhe se projekti ndodhet ende në fazën e zhvillimit, pa një miratim përfundimtar. Sipas tij, ai nuk mund të zbatohet pa përfunduar vlerësimi i ndikimit në mjedis, konsultimet publike dhe pa marrë të gjitha miratimet e nevojshme nga autoritetet kompetente.

“22.1% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur. Projekti është në fazën e zhvillimit dhe nuk mund të vazhdojë pa vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis dhe pa miratimet përkatëse. Çdo zhvillim do të jetë në përputhje me kërkesat e ligjit”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk janë objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin, por mund të ecin paralelisht në funksion të një modeli të qëndrueshëm zhvillimi.

“Synimi është të ndërtojmë një model turizmi që krijon vende pune, tërheq investime dhe njëkohësisht mbron vlerat natyrore të zonës. Ruajtja e natyrës dhe zhvillimi janë shtylla plotësuese të të njëjtit vizion për një Shqipëri më të begatë dhe më të gjelbër”, tha ai.

Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se Kuvendi ka një rol kyç në garantimin e legjitimitetit, transparencës dhe mbikëqyrjes së këtij procesi.

Ai bëri të ditur se rezoluta e fundit për integrimin europian është miratuar me konsensus nga forcat kryesore politike, duke e cilësuar këtë si një tregues të angazhimit institucional të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Asnjë proces nuk mund të ketë sukses pa pronësinë demokratike. Parlamenti shqiptar është një nga shtyllat kryesore që i jep legjitimitet, mbikëqyrje dhe transparencë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, përfundoi Balla.