Autostrada Tiranë–Durrës, miratohen 25.1 mln lekë shpronësime për zgjerimin


Qeveria ka miratuar një vendim të ri për shpronësimin e pronarëve të pasurive që preken nga zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, në kuadër të fazave të para të projektit.

Sipas vendimit, kompensimi prek prona të llojit truall dhe ndërtesa, me një vlerë totale rreth 25.1 milionë lekë.

Ndërkohë, punimet për zgjerimin e një prej akseve më të rëndësishme rrugore të vendit vijojnë në terren. Aktualisht janë hapur për qarkullim 6 kilometrat e parë të segmentit të ri, ndërsa po punohet në fazat e tjera të projektit, përfshirë edhe nyjet lidhëse me zonat përreth.

Paralelisht, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender të ri për përmirësimin e elementeve ndihmëse të autostradës, me fokus gjelbërimin, ndriçimin dhe rritjen e sigurisë rrugore. Projekti parashikon mbjellje të reja, sistem ujitjeje dhe ndriçim LED përgjatë aksit, si dhe rehabilitimin e disa segmenteve të dëmtuara.

Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës mbetet një nga projektet kryesore infrastrukturore në vend, me synimin për rritjen e kapacitetit dhe lehtësimin e trafikut në këtë aks me ngarkesë të lartë.