Depozitat e bizneseve shqiptare në banka kanë vijuar rritjen gjatë vitit 2025, duke arritur në 354.6 miliardë lekë, por pjesa më e madhe e tyre mbetet e pambuluar nga skema e sigurimit të depozitave.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, kursimet e tregtarëve dhe shoqërive tregtare u rritën me 12.7% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, struktura e këtyre depozitave tregon një përqendrim të lartë në shuma të mëdha.
Vetëm 10% e depozitave janë deri në 2.5 milionë lekë, duke u rritur me 10.4%, ndërsa 90% e tyre janë mbi këtë prag dhe kanë shënuar një rritje prej 12.9%. Këto depozita të mëdha nuk mbulohen plotësisht nga skema e sigurimit.
Në total, rreth 16,905 subjekte, ose 8.2% e depozituesve tregtarë, mbajnë pjesën kryesore të fondeve që tejkalojnë kufirin e mbrojtjes.
Për sa i përket monedhës, depozitat në euro dominojnë me 53.3% të totalit dhe u rritën me 11.4%, ndërsa ato në lekë përbëjnë 41.7% dhe shënuan rritjen më të fortë, me 17.8%.
Pavarësisht këtij zgjerimi, depozitat e sigurueshme të bizneseve mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me individët, duke përfaqësuar vetëm rreth një të katërtën e totalit që zotërojnë qytetarët.










